Lajme

Kurti: Thaçi dhe Haradinaj i kanë punësuar njerëzit me listë të dasmave të tyre

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka kritikuar edhe një herë qeverisjen e Ramush Haradinajt. Thotë se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja dhe një qeveri “pas së cilës nuk duhet të ketë e nuk do të ketë asnjë individ a grup a parti më të fuqishme se shteti”.

Ai ka akuzuar kryeministrin dhe presidentin Hashim Thaçi se kanë punësuar numër të madh të familjarëve në institucionet publike.

“Nuk mund të bëhet shtetndërtimi demokratik me këtë qeveri të keqe, sepse nuk mund të bëhet shtetndërtimi dhe as demokracia me kushërinj e me dosta. Me Gent Begollin e Bedri Istrefin në Telekom e me Valon Tolajn në AKP nuk ec ekonomia. Ata që duan ta privatizojnë shtetin natyrisht që duan ta falimentojnë atë. Shteti i Kosovës sot ka aq institucione sa kanë kushërinj Thaçi e Haradinaj. Me listë të dasmave të tyre i kanë shti njerëzit në punë nëpër institucione. E, me një tarifë 100% ndaj Serbisë nuk mbulohet gjithë kjo keqqeverisje, gjithë ky korrupsion e ky krim i organizuar”, tha Kurti në një takim të zhvilluar me qytetarët e Vushtrrisë.

Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e pranojnë gjendjen aktuale dhe për këtë të ngritin zërin.

“Prandaj, le të ngritet populli bashkë që pushtetarët të bien bashkë”, shtoi Kurti.