Kurti sqaron heqjen e taksës dhe zëvendësimin e saj me reciprocitet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Konventën e Dytë të Prodhuesve Vendor, ka sqaruar heqjen e taksës me zëvendësimin e saj me reciprocitet.
Kurti ka thënë se ata nuk janë për tarifë si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit por si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.
“Ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve. Produktet që prodhohen në Kosovë e të cilat i nënshtrohen praktikave dhe konkurrencës jolojale do të mbrohen”, ka thënë Kurti.
Tutje kryeministri ka shtuar se “Posa të vijnë në zyrën time rekomandimet do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe do të veprojmë si të tillë”.
Ndër tjera i pari i vendit ka treguar edhe për hapat të cilat i ka marr Ministrja e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari për zëvendësim të taksës.
“Rozeta Hajdari ka bërë disa hapa të cilët na sjellin edhe më afër heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitet të plotë. Rozeta tash ka marr vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, AVUK-u dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ky grup do të përmbledh të gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të vijë me rekomandim tek qeveria”, ka thënë Kurti.