Lajme

Kurti shfrytëzon transportin publik gjatë vizitës së tij në Zvicër

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti këto ditë po qëndron në Zvicër ku ka zhvilluar takime të ndryshme me profesionistë shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Zvicër, shkruan Albinfo.ch.

Ai gjatë ditës së sotme është parë duke udhëtuar me tren, duke shkuar për në Bazel.

Kurti, i cili njihet si një politikan modest, edhe gjatë kohës sa ishte kryeministër, nëpër Prishtinë udhëtonte kryesisht në këmbë nga banesa e tij tek selia e Qeverisë së Kosovës.

Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, Kurti ka diskutuar me profesionistët shqiptarë të specializuar në teknologji informative, financa dhe banka. “Biseduam mbi sigurinë kibernetike, vështirësitë dhe mundësitë për investime kapitale, ndikimin e pandemisë në tregjet botërore, kontraktimin e jashtëm në Kosovë”, ka thënë ai, përcjell tutje Albinfo.ch.

Sipas Kurtit, shqiptarët janë integruar në shoqërinë zvicerane duke u bërë pjesë integrale për atë. “Dija, përvoja dhe investimet e tyre janë aq të vlefshme dhe të nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike dhe progresin shoqëror te ne”, ka deklaruar ai.

Ai po ashtu mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.

“Bashkëpunimi ynë ndërkombëtar po thellohet e zgjerohet. Aleanca e subjekteve progresiste është kushti i progresit global e lokal”, deklaroi Kurti.