Lajme

Kurti: Refuzojmë të marrim vaksina nga Serbia e cila i merr nga Rusia e Kina

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për “Euronews” ka deklaruar se nuk do t’i pranonte vaksinat e COVID-19 nga Serbia pasi sipas tij ajo i merr ato nga Rusia dhe Kina.

Kurti ka thënë se orientimi i Kosovës ka qenë gjithmonë drejt Perëndimit.

Pyetje: Mandati juaj i fundit si kryeministër përfundoi gjatë pandemisë COVID-19. Cila është gjëja e parë që ju do të bëni si kryeministër për të luftuar pandeminë në Kosovë?

Kurti: Ne planifikojmë të fillojmë të alokojmë fonde të përshtatshme për vaksinimin dhe një program prioritetesh në lidhje me grupet shoqërore të cilët duhet të vaksinohen së pari dhe me cëfarë rendi, dhe kemi në plan të kemi 60 përqind të popullsisë të vaksinuar në këtë vit, në bashkëpunim me BE-në. Kur unë u largova nga detyra në 3 qershor të vitit të kaluar, kishim vetëm 30 vdekje dhe numri i njerëzve të shëruar ishte tre herë e gjysmë më i lartë se rastet aktive. Që kur kam lënë detyrën, kemi pasur më shumë se 1500 vdekje.

Pyetje: A keni diskutuar që të pranoni vaksina nga Serbia sicë ka bërë Maqedonia e Veriut?

Kurti: Ne planifikojmë ta diskutojmë këtë çështje me partnerët tanë, me vendet që na njohën dhe në veçanti me BE-në.

Pyetje: A është kjo një jo ndaj vaksinave nga Serbia?

Kurti: Jo, ne nuk do të marrim vaksina nga Serbia, e cila merr vaksinat nga Rusia dhe Kina. Si për nga vlerat ashtu edhe për nga interesat, orientimi ynë ka qenë gjithmonë drejt Perëndimit.

Pyetje: Mund të shihet si një mënyrë për të ndërtuar urë me Beogradin.

Kurti: Ne nuk duam të zëvendësojmë BE-në dhe SHBA-në me ndonjë fuqi lindore jodemokratike, sepse është provuar se nuk ka siguri në lidhje me cilësinë, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, ka gjithmonë kushtëzime në formë të lojërave gjeopolitike.