Lajme

Kurti: Presidenti dhe kryeministri e dinë që koha e tyre po mbaron

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se edhe 20 vjet pas çlirimit të vendit, gjendja në arsim dhe ekonomi vazhdon të mbetet e rëndë.

Gjatë një debati që ka pasur me studentët e Universitetit të Prishtinës, të organizuar nga Organizata Studentore “Studim, Kritikë Veprim”, Kurti ka thënë se arsyeja pse po ndodhin vjedhjet në Kosovë është se kryeministri dhe presidenti kanë mandatin e tyre të fundit.

Sipas Kurtit, keqinvestimi në Kosovë ka degraduar vendin dhe pushtetarët bëjnë investime aty ku mund të vjedhin.

Sipas liderit të Vetëvendosjes, investimi më i madh po ndodh në asfalt, pasi që këtu bëhen vjedhjet më të mëdha.

Në këtë debat, Kurti u ka thënë studentëve që nëse Universiteti nuk bën kërkime, ai u ngjan shkollave të mesme.

Sipas tij, Kosovës i nevojiten investime në ekonomi, të cilat do të sjellin punësime.