Kurti për televizionin serb N1: Në qeverinë time do të ketë ministër të përkrahur nga Lista Serbe, por jo si pjesë e koalicionit
Në qeverinë e re të Kosovës, Lista Serbe do të jetë në opozitë, ndërsa fakti se një ministër duhet të jetë nga pakica serbe nuk nënkupton se ai do të jetë në koalicion.
Kështu ka thënë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një intervistë për televizionin serb N1.Duke folur për heqjen e taksës, Kurti ka thënë se Kosova fillimisht do ta zëvendësojë atë me “reciprocitet”, ndërsa tek më vonë do ta heqë atë, kurse më pas do të përgatiten mirë për dialog.“Nuk e kemi luksin që ta dështojmë edhe njëherë dialogun”, tha ai, transmeton Ministria Lajmeve.
“Do ta respektoj Kushtetutën, por bëj dallimin thelbësor mes asaj kur diçka është detyrim kushtetues dhe koalicion politik në anën tjetër. Ne po mundohemi të krijojmë një koalicion ku nuk do të jenë të nevojshme votat e Listës Serbe.
Lista Serbe do të jetë në opozitë, ndërsa fakti se një ministër duhet të jetë nga pakica serbe nuk nënkupton se ai do të jetë në koalicion. Përkatësia kombëtare serbe nuk është anëtarësi partiake por përkatësi kombëtare”, tha Kurti në këtë intervistë.
I pyetur nëse kjo nënkupton që në qeverinë e re të Kosovës do të jetë një serb me të cilin pajtohen dy të tretat e Listës Serbe, por në kuptimin politik nuk do të trajtohet si pjesë e qeverisë së koalicionit, Kurti tha se “mund të thuhet ashtu”.Ai ka shtuar se nuk ka biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe, por nuk do t’i “ekskomunikojë në Parlament edhe nëse ata janë deputetë”.“Por mendoj se në komunat me shumicë serbe nuk ka pasur zgjedhje fer dhe të lira”, shtoi ai, duke potencuar se ka pasur raste që në zgjedhjet në Kosovë një serb ka votuar deri në 18 herë, dhe thotë se në disa vende ka pasur më shumë vota për Listën Serbe sesa që ka pasur banorë.Thotë se Lista Serbe s’ka dashur të kënaqet me 80 për qind të votave, por ka dashur të sigurojë 100 për qind. “Por”, thotë ai, “s’e fajësoj Listën Serbe për këtë, ata e bartin tek të tjerët presionin që edhe vetë e përjetojnë, ai presioni i Beogradit ndaj Listës Serbe bartet në presion ndaj qytetarëve serbë në Kosovë”.I pyetur se përse po e eliminon Listën Serbe, ai tha se “Beogradi paguan për bindje” dhe se institucionet e Kosovës bashkë me bashkësinë ndërkombëtare duhet të ndërpresin mundësinë që Beogradi të bëjë presion ndaj serbëve në Kosovë.“Nuk kam asgjë kundër serbëve, përkundrazi, shoqërohem me shumë serbë këtu në Kosovë… Problemi me Listën Serbe nuk është se është mjet i Beogradit, por sepse është – mjet. Thelbi politik i Listës Serbe është që ata të mos jenë, të mos ekzistojnë, ata ekzistojnë për të mos ekzistuar, ky është problem i madh”, mendon Kurti.Ai foli edhe për takimet me LDK-në duke thënë se këtë muaj beson se do të arrihet marrëveshja për koalicion, ndërsa shtoi se deri më tani janë pajtuar për rreth 80 për qind të planeve dhe programit, kurse tha “pas kësaj vjen ndarja e resorëve të ministrive”.
Kurti tha se qeveria e tij fillimisht do të nisë dialogun me serbët e Kosovës, dhe atë dialog për zhvillimin ekonomik, e jo për pajtim.“Çka na duhet ajo? Mua një serb i Graçanicës s’më ka bërë asgjë, e as unë atij. Nëse i pyetni serbët apo shqiptarët në Kosovë se çfarë u duhet, atë që do t’ua thonë të gjithë është punë dhe drejtësi, dhe kjo duhet të jetë prioritet”, deklaroi kreu i VV-së, Albin Kurti në këtë intervistë për televizionin serb N1.
Në plan të dytë, thotë ai, do të jetë dialogu me përfaqësuesin e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell. “Na duhet dialogu në Bruksel për dialogun me Serbinë”.