Lajme

Kurti për Covid-19: Kemi shënuar progres të jashtëzakonshëm, por s’bën të relaksohemi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook thotë se ka një progres shumë të mirë në luftën ndaj Covid-19, porse kjo nuk do të thotë se duhet të relaksohemi, por kujdesi duhet të jetë maksimal.

“Falë masave të 15 prillit dhe bashkëpunimit të një shumice të madhe prej jush, përqindja e rritjes në numrin e rasteve ka rënë nën 4%. Kjo nënkupton se qytetarët e infektuar po e transmetojnë virusin te shumë më pak persona të tjerë në krahasim me periudhën para 15 prillit, kur rritja ditore kishte shkuar deri në 27%. Dje, për herë të parë që nga ardhja e Koronavirusit në Kosovë, numri i të shëruarve ishte dyfish më i madh sesa numri i rasteve të reja, me 35 persona të shëruar. Kemi shënuar progres të jashtëzakonshëm, progres i cili po shpresojmë që të vazhdojë në javët e ardhshme”, ka shkruar Kurti.

E ky përmirësim i gjendjes, sipas Kurtit, varet nga bashkëpunimi i të gjithëve.

“Mirëpo, sado që ky është lajm i mirë për të gjithë, vazhdimi i këtij përmirësimi nuk varet vetëm prej Qeverisë, por varet edhe prej të gjithë neve bashkë. Nuk duhet ta lejojmë që progresi i deritanishëm të na relaksojë, sepse kjo do të rrezikonte të kthejë mbrapsht krejt këtë progres. Virusi nuk e fal askënd. Studimet më të fundit tregojnë se, edhe në rast të shërimit, dëmi që ia bën virusi mushkërive mund të jetë i pariparueshëm. Pra, po përballemi me një sëmundje që dëmton ndër organet më të rëndësishme të trupit; shëndeti i mushkërive është vital po aq sa shëndeti i zemrës dhe trurit”, ka shkruar ai.

Kurti thekson se koronavirusin e merr shumë seriozisht, pasi mund të na kthejë në pikën zero.

“Personalisht kam pasur një përvojë të vështirë me sëmundje në mushkëri në shkurt të vitit 2019. Si Kryeministër, por edhe si qytetar, unë e marr virusin Corona me shumë seriozitet. Nuk kemi të bëjmë me një grip të thjeshtë siç thonë disa. Le të vazhdojmë të tregojmë kujdes të shtuar ndaj pastërtisë dhe distancës në mënyrë që sakrificat tona të deritanishme të kenë kuptim dhe që pandemia të mos shpërthejë përsëri duke na kthyer në pikën zero”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij na duhet bashkëpunimi jo vetëm i shumicës, por i të gjithëve.

“Ndaras nuk kemi si ta fitojmë këtë betejë, por bashkë, të gjithë bashkë, dhe fitorja është e garantuar”, ka thënë Kurti.