Lajme

Kurti paralajmëron: Do të ketë shkarkime të tjera

Qeveria e Kosovës dje ka shkaktuar Bordin e Telekomit të Kosovës si dhe zyrtarët shtetërorë, të cilët kanë qenë pjesë e ministrive të ndryshme në vend.

Por siç duket Qeveria e re nuk do të ndalet me kaq.

Kryeministri Albin Kurti, sot gjatë qëndrimit në Mitrovicë paralajmëroi edhe shkarkime të bordeve të tjera.

“Më 3 shkurt është ndërruar veç Qeveria, nuk është ndërru bordet e as menaxhmentet. Na këtë nuk mund ta bëjmë as për një ditë as për një javë, por nuk do të ndalemi sepse nuk mjatoin që në Republikën e Kosovës i vetmi pushtet që ndërrohet të jetë veç Qeveria por duhet të ndërrohen edhe pushtetet e tjera. Pengesa do të kemi, vështirësi do të kemi, por këto nuk duhet të na dekurajojnë por të na shtojnë vullnetin. Dje e kemi shkarku Bordin e Ndërmarrjes Publike të Telekomit të Kosovës, do të vazhdojmë edhe me tjera, por nuk mund t’i bëjmë përnjëherë, sepse duhet që t’i ndjekim rregullat, ligjet me përpikëri, pra duhet t’i respektojmë edhe procedurat për rezultatet që i duam të gjithë bashkë”, tha Kurti para hyrjes së minierës Trepça në Stantërg, ku po protestonin dhjetëra persona në shenjë pakënaqësie me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje , shkruan Reporteri.net.

Se nuk do të ndalen veç me Telekomin ka deklaruar edhe zv.kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka thënë se shkarkimi i bordit të kësaj kompanie është veç fillimi.

“Sot ishte vetëm fillimi. Sot Qeveria ka shkarkuar Bordin e Telekomit. Në ditët në vijim do të analizojmë raportet e auditimit dhe performances të të gjitha ndërmarrjeve publike dhe do të marrim vendimet meritore lidhur me bordet e tyre. Duhet të shpëtojmë nga falimentimi këto ndërmarrje”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kurse deputeti i Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku mbrëmë në një emision deklaroi se pas Telekomit duhet të trajtohet edhe RTK-ja.

“Besoj se çështjen e RTK-së duhet ta trajtojmë në tërësi, jo vetëm për bordin. Shpesh na kanë thënë se bordi është nyja ku zgjidhet ose jo problemi i RTK-së, por mendoj se duhet të ndryshohet kjo. Problemi është pak më fondamental. Bordi është një pjesë shumë e rëndësishme e problematikës, dhe mendoj se RTK-në duhet ta shpëtojmë. Ky është një obligim që e kemi si shërbyes të qytetarëve të sigurohemi që një shërbyes i tillë mediatik të jetë në shërbim të qytetarëve dhe publikut”, ka deklaruar ai në KTV.

Pikërisht lidhur me spastrimet e mundshme në RTK ka reaguar një nga redaktorët e saj, Ridvan Berisha, i cili ka alarmuar se ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka një skenar për spastrimin e RTK-në.

“Në listë është edhe RTK, e kanë në skenar kapitalisti Besnik Bislimi besoj që kujdeset bashkë me ekipin e vet të mendësi gjysmë bolshevike për të kapluar njerëzit e vet këtu”, ka thënë Berisha.

Kujtojmë se dje u shkarkuan: Sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme Fitim Sadiku, sekretari i ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, sekretari i Teknologjisë dhe Inovacionit Hajriz Koci, sekretari i ministrisë së Financave dhe Transfereve Naim Baftiu, sekretari i ministrisë së Administratës Publike Arton Berisha dhe sekretarja e ministrisë së Investimeve Strategjike Shyhrete Gosalci.

Kjo u bë gjatë mbledhjes së Qeverisë, ku në kuadër të shkarkimit hyjnë ministritë e prekura nga riorganizim dhe kalojnë në listën tepricë sipas legjislacionit në fuqi.