Kurti: Papunësia mbetet sfidë për Kosovën, por me punësim nuk përfundojnë sfidat
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se papunësia është sfida më e madhe në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook ka thënë se 1 Maji nuk është thjesht ditë feste e punëtorëve por ditë kur duhet reflektuar mbi të gjitha ditët tjera të punës.
“Natyrisht se papunësia është sfida jonë e madhe. E papunësia e madhe është pasojë e qasjes së sistemit ndaj njeriut punëtor. Para luftës kishim shtetin okupator që na dëboi nga vendet e punës. Pas luftës kishim modelin neoliberal që s’na punësoi dot. Ndërkohë, arsimi e ekonomia ecën ndaras, e në hendekun e tyre po rritej rinia e papunë. Ndër pak fushat ku triumfojmë sot në Evropë është ajo e papunësisë më të lartë”, ka shkruar ai.
Por, Kurti thotë se as me punësim nuk përfundojnë sfidat e punëtorëve.
Sipas tij, puna pa siguri, pa kontratë, pa kontribute pensionale, pa sigurim shëndetësor, e pa të drejta për pushim me pagesë, është më shumë normë se përjashtim.
“Praktikisht, është marrëdhënie pa virtyt, që e zhvesh punëtorin nga dinjiteti, duke e reduktuar në fuqi të thjeshtë punëtore. Kjo marrëdhënie duhet dhe do të ndryshojë. Kurse kjo pandemi e ka kthjelltësuar këtë domosdoshmëri. Pa punën e mjekëve e infermierëve, policëve e zjarrfikësve, bukëpjekësve e farmacistëve, pastruesve e shitësve, kapitali i milionerëve nuk ka asnjë vlerë. Pa të, ai as nuk krijohet e as nuk na shpëton nga sëmundja. Duke e ditur se pasuria krijohet kolektivisht nga ju, por akumulohet individualisht nga pronarët, rishpërndarja bëhet e nevojshme”, ka shkruar ai.