Kurti: Nuk jam ftuar në takimin e Ambasadës për Asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti ka thënë se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai është shprehur se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.
Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti ka deklaruar se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.
Ai ka përsëritur se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por ka shtuar se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.
Kurti, po ashtu, ka thënë se se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.