Lajme

Kurti nuk do t’i shkojë Thaçit në takim nesër

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti nuk do t’i përgjigjet ftesës së presidentit Thaçi.

Thaçi të hënën i kishte dërguar ftesë zyrtare Kurtit, në cilësi të kryetarit të LVV-së, për takim të mërkuren, më 1 prill, rreth hapave të ardhshëm që do të ndërmerren pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Por, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci ka thënë gjatë një prononcimi për mediet para Gjykatës Kushtetuese se tani nuk është koha e takimeve dhe se presidenti Thaçi duhet të respektojë Kushtetutën dhe ta shpërndajë Kuvendin, bazuar në nenin 82 të saj.

Nagavci ka shtuar se shkaku i gjendjes së krijuar me koronavirus, Qeveria në detyrë do ta vazhdojë menaxhimin e gjendjes dhe se Thaçi duhet t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, posa të krijohen kushtet për një gjë të tillë.

“Nuk është koha e takimeve, duhet të jemi të përkushtuar në respektimin e vendimeve të Qeverisë”, ka thënë ajo.

Përpos Kurtit, Thaçi i ka ftuar për takime edhe liderët e partive tjera.