Kurti: Në Banjskë janë 30 persona të armatosur rëndë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në fshatin Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic, gjenden së paku 30 persona të armatosur rëndë.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Kurti ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen te organet e sigurisë.
“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, që ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe që i ftoj të dorëzohen te organet tona të sigurisë. Ata janë që po i sulmojnë policinë tonë, edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun e e kanë plagosur Alban Rashitin”, ka thënë ai.
Duke demonstruar me fotografi, Kurti ka thënë se njerëz të armatosur rëndë me pajisje ushtarake, me maska, janë rrotull Manastirit në Banjskë të Zveçanit.
“Organet e sigurisë dhe prokuroria do të zhvillojnë hetimet për t’i kuptuar këto uniforma të cilat siç shihet përveç xhipave, kanë edhe një autoblindë aty. E vëreni se ka një gjoksore që është tipike për uniformën dhe pajisjet në vendluftime. Është paraqitur një formacion i organizuar që ka ardhur të luftojë në Kosovë”, është shprehur ai.
Kurti ka shtuar se vrasja e policit Bunjaku të dielën duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave, strukturave ilegale që e cenojnë sigurinë e rendin kushtetues.