Kurti mbron shkarkimet dhe emërimet e bordeve: Do të ndihmojnë në çkapjen e plotë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbrojtur vendimet për emërime e shkarkime të bordeve të ndërmarrjeve publike.
Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se bordet e reja të Ujësjellësit “Prishtina”, “Postës së Kosovës” dhe “Hekurudhave të Kosovës – Infrakos” janë profesionale dhe se do të ndihmojnë, siç ka thënë Kurti, “në çkapjen e plotë dhe luftimin e krimit e korrupsionit”. Ka shtuar se bëhet fjalë për borde të përkohshme.
Gjatë ditës shoqëria civile dhe partitë politike kanë reaguar, duke thënë se Kurti ka emëruar anëtarë të partisë së tij në borde, raporton koha.
Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjikë (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, ka pranuar se dy nga të emëruarit në këto borde, Mentor Hyseni (KRU Prishtina) dhe Artan Dërmaku (Infrakos) janë pjesë e Vetëvendosjes, por sipas saj, ata janë profesionistë dhe nuk kanë ndonjë pozitë në parti.
Kurti në postimin e tij të sotëm i ka bërë nëj përmbledhje më të gjerë të veprimeve të Qeverisë gjatë këtyre javëve.
“Mbrëmë ishte mbledhja korresponduese, e 21-ta me radhë, e Qeverisë së Kosovës. Nëntë pikat e kësaj mbledhje u votuan, pra u miratuan. Shkarkuam borde e emëruam të rinj. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A., “Posta e Kosovës” Sh.A. dhe “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A., tash kanë borde të reja e profesionale. Këto borde janë të përkohshme të cilat do të merren me çkapjen e plotë nga shpërdorimi dhe luftimin e krimit e korrupsionit brenda tyre”, ka shkruar Kurti.