Lajme

Kurti Lajçakut: T’ia mohosh Kosovës reciprocitetin do të thotë t’ia mohosh të drejtat sovrane

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se t’ia mohosh parimin e reciprocitetit Kosovës është t’ia mohosh ushtrimin e të drejtave sovrane të saja.

Kësisoji ai ka reaguar ndaj një postimi në Tëitter të të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili e ka kërkuar heqjen e masave të reciprocitetit.

“T’ia mohosh parimin e reciprocitetit Republikës së Kosovës është t’ia mohosh ushtrimin e të drejtave sovrane të saja. Kosova dëshiron raporte fer dhe të drejta me fqinjtë e saj. Dialogu është midis dy të barabartëve dhe Serbia duhet ta shohë Kosovën si të barabartë në secilën tavolinë”, ka shkruar Kurti në Tëitter.

Në këtë status ai po ashtu ka bërë një përmbledhje të procesit drejt heqjes së taksës dhe zëvendësimit të tij me reciprocitet.

Ai ka bërë të ditur së në fund të shkurtit e kishte paralajmëruar heqjen graduale të tarifës 100 për qind dhe zbatimin gradual të parimit të reciprocitetit me Serbinë.

“Gradualisht pasi që dëshironim që autoritetet doganore nga të dyja anët e kufirit të përgatiteshin në mënyrë adekuate”, ka shkruar ai.

Ai ka treguar po ashtu se që nga ajo kohë Qeveria ka vënë masat e reciprocitetit me Serbinë – të gjitha si reagim ndaj barrierave jotarifore, të vëna nga Serbia ndaj Kosovës.

“Kur të identifikohen barrierat tjera, do të zbatohen masa të reja reciprociteti”, ka shkruar ai.