Lajme

Kurti kërkon nga ndërkombëtarët, reagim më të ashpër ndaj Serbisë

Kryeministri Kurti, është shfaqur i nervozuar me komunitetin ndërkombëtar pasi po kërkon reagim më të ashpër ndaj Serbisë, të cilën e akuzon si pjesëmarrëse të drejtpërdrejt në sulmin e grupit paraushtarak serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një intervistë për Sky News të premten, Kurti ka theksuar edhe një herë se sulmi ishte i orkestruar nga Beogradi, andaj sipas tij, duhet reagim më i ashpër ndaj Serbisë.

“Ata [Serbia] e mohojnë sepse po luajnë me librin e lojërave të Putinit në Donbas. Burra të veshur me të gjelbër në pjesën veriore të Kosovës. Jo pak, por njerëz të gjelbër që donin të fillonin një luftë dhe ta ndanin Kosovën”, ka thënë Kurti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pavarësisht se e kanë dënuar sulmin e armatosur, kanë thënë se janë në pritje të hetimit të plotë përpara se të marrin ndonjë vendim.

Autoritetet e Kosovës sekuestruan arsenal armësh gjatë aksionit të bastisjes në Banjskë. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pati thënë se armët e sekuestruara dëshmojnë përfshirjen e shtetit të Serbisë në sulm. Publikoi edhe dokument që ishte leje nga ushtria serbe për granatahedhësit që u gjetën në Banjskë.

Gjatë sulmit, vdiqën edhe tre anëtarë të grupit paraushtarak serb.