Kurti i përgjigjet Edi Ramës për Mini-shengenin
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur të gabueshme dhe të pashpjegueshme ngutinë për të mbajtur Samitin e Ohrit.
Samiti i Ohrit, apo i quajtur ndryshe Mini Schengeni Ballkanit, ka mbledhur gjatë vikendit treshen politike, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, homologun e tij maqedonas Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Për këtë takim, në të cilën nuk ka marrë pjesë Kosova ka reaguar sot gjatë ditës, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kurti në një intervistë për Report TV ka thënë se vala e dytë e këtyrë iniciativave rajonale nuk është dashur që të mbahet.
“Vala e dytë e këtyre iniciativave rajonale nuk është dashur të mbahet. U mbajt takimi i parë në Novi Sad, u tha që në Ohër do të vijnë të gjithë dhe së pari aty nuk shkoi Kosova, së dyti Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina patën përfaqësim simbolik dhe besoj që në kohën kur spostohet edhe Samiti i Parisit nuk ka pse të mos spostohet për një datë tjetër edhe ky i Ohrit”, thotë ai.
Kurti ka vlerësuar se një gjë e tillë ishte e gabueshme dhe e pashpjegueshme.
“Pra për mua ishte e gabueshme dhe pashpjegueshme ngutia që medoemos, tani, të mbahet kjo mbledhje në Ohër në kohën kur dihej që Kosova nuk do të marrë pjesë. E dyta, inicativat e këtilla rajonale duhet të llogarisin një gjë thelbësore e ky është reciprociteti i plotë politik, ekonomik dhe tregtar midis Kosovës dhe Serbisë. Pra ccfarëdo inciative në rajon duhet t’i bëjë vendit parimet e reciprocitetit të cilin do ta vendos dhe zbatoj qeveria e re e Republikës së Kosovës dhe unë si kryeministër”, shton i njejti.
I pari i Vetëvendosjes, ka thënë se tashmë janë dakorduar që me Serbinë të kenë reciprocitet, teksa shton se ky është edhe vullnet i popullit.
“Edhe LDK edhe Lëvizja VETËVENDOSJE!, edhe z.Osmani edhe unë, pra gjithsej gati 2/3 e votave shqiptarëve të Kosovës kanë qenë për reciprocitet me Serbinë, ky është vullneti i popullit. Vështirë është të gjendet ndonjë gjë tjetër për të cilën ka vullnet aq të madh politik e popullor sikurse për reciprocitetin me Serbinë. Prandaj inciativa të tilla duhet t’ja bëjnë vendin parimit të reciprocitetit, cili është është kriter i shëndosh në marrëdhëniet e mira fqinjësore e bilaterale në përgjithësi. Dhe e treta, si qeveri e re, si kryeministër i ri, unë do të mbledh qeverinë që të diskutojmë këtë gjë, me ministrat, posaçërisht ata të fushës dhe me shoqatat, asociacionet, organizatat dhe me unionet e ndryshme”, tha ai.
Ndryshe, kundër samitit të Ohrit është shprehur dje edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
Ai ka thënë se politikat e Mini-shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i qon në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia.
“Janë këto manovrime të Serbisë për të bishtëruar detyrimet ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe për njohje të pavarësisë së Kosovës. Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre por Kosova asesi”, shkroi ai.