Kurti e Mustafa intensifikojnë diskutimet, premtojnë marrëveshje të shpejtë
Takime intensive për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes me Lidhjen Demokratike ka paralajmëruar mandatari për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit që ka zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa.
Ky ishte takimi i parë mes këtyre subjekteve pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, ku Lëvizja Vetëvendosje u konfirmua parti e parë, kurse LDK-ja e dyta. Përveç zotimit se marrëveshja do të arrihet në ditët në vijim, të shprehur në deklaratën e përbashkët, nuk u lejuan pyetjet e gazetarëve, dhe asnjëri prej liderëve nuk ka treguar se për cilat çështje kanë arritur dakordim dhe ato që i ndajnë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“U dakorduam që do të takohemi intensivisht ne kryetarët e dy subjekteve, sepse doemos do ta bëjmë marrëveshjen e cila do të shënojë një kapitull të ri në Republikën e Kosovës me një kulturë tjetër qeverisëse, me një program zhvillimor për drejtësi ligjore e sociale, dhe për integrime evropiane, duke iu dhënë prioritet gjithmonë qytetarëve të Republikës, pa dallim”, ka thënë Kurti pas takimit dyorësh në Kuvendin e Kosovës, ku morën pjesë edhe nënkryetarët e dy partive. Ai ka shtuar se në pak ditë në vijim do ta lidhin marrëveshjen për koalicionin qeverisës.
“Takimi ishte shumë konstruktiv, i konfirmuam të gjitha dakordimet që i kemi bërë deri më tani sa i përket harmonizimit programor”, ka theksuar Kurti. Ndërkaq të premten do të mbahet takimi i radhës mes ekipeve profesioniste për, siç ka thënë Kurti, t’i përmbyllur çështjet e mbetura.
“Kur të kemi rezultate konkrete juve do t’ju njoftojmë të parët, por kësaj radhe ju kërkoj falje që nuk do të marrim pyetje”, e ka përfunduar Kurti deklaratën e tij.
Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka cilësuar si shumë të frytshëm, konstruktiv e përmbajtjesor takimin me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje.