Lajme

Kurti: Duke mos qenë asnjëherë prioritet i asnjë qeverie pas lufte, fati i të zhdukurve mbetet ende i pazgjidhur

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se zhdukja me forcë e njerëzve është përdorur përgjatë viteve nëpër krejt botën ( në luftëra e përtej tyre), si strategji që shkakton terror në shoqëri.

Kurti shtoi se në Kosovë ende janë 1 mijë e 641 persona të zhdukur nga lufta e fundit dhe se 21 vjet pas përfundimit të luftës, nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Kurti tha se duke mos qenë asnjëherë prioritet i asnjë qeverie pas luftë, fati i të zhdukurve mbetet ende i pazgjidhur, transmeton Indeksonline.

“Përpjekjet e shtetit të Kosovës për të zbardhur fatin e tyre kanë qenë ose të gabuara ose të mangëta, andaj të pasuksesshme”, shtoi ai.

Andaj ai tha se tani fokus duhet vendosur te familjarët e të zhdukurve dhe se Kosova duhet të bëjë të pamundurën për të zbuluar fatin e të gjithë të zhdukurve.

Postimi i plotë:

Me 30 gusht në botë shënohet dita ndërkombëtare e të zhdukurve. Andaj me kolegë nga Prishtina, vizituam shoqatën “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë.

Zhdukja me forcë e njerëzve është përdorur përgjatë viteve nëpër krejt botën (në luftëra e përtej tyre) si strategji që shkakton terror në shoqëri. Ndjenja e pasigurisë që rrjedh nga kjo praktikë nuk prek vetëm të afërmit e të zhdukurve, por gjithashtu ndikon në komunitetin dhe shoqërinë në tërësi.

Në Kosovë, ende janë 1641 persona të zhdukur nga lufta e fundit. Edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës, nuk dimë asgjë për fatin e tyre. Duke mos qenë asnjëherë prioritet i asnjë qeverie pas lufte, fati i të zhdukurve mbetet ende i pazgjidhur. Përpjekjet e shtetit të Kosovës për të zbardhur fatin e tyre kanë qenë ose të gabuara ose të mangëta, andaj të pasuksesshme.

Fokusi tani duhet vendosur te familjarët e të zhdukurve. Kosova duhet të bëjë të pamundurën për të zbuluar fatin e 1641 të zhdukurve, por krahas kësaj, Kosova duhet të kujdeset për familjarët që bartin përditë dhimbjen e këtyre krimeve. Këta familjarë kanë nevojë për kujdesje, përkrahje e mbi të gjitha për njohje të dëmit të vijueshëm që u është shkaktuar e po u shkaktohet ndër vite.

Me qeverinë e mirë në pranverën 2020 e kemi pasur prioritet çështjen e të zhdukurve dhe familjarëve të tyre, por planin tonë nuk arritëm ta çonim deri në fund. Atë do ta vazhdojmë me rikthimin tonë.

Sot në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, gjindemi pesë ditë para takimit që do të mbahet në Washington D.C. Ky takim na kujton një prej bisedave që kemi pasur me nënat heroina në Gjakovë. Njëra na pati thënë: “Nëse shikon në sytë e nënave, ato nuk derdhin më lotë. Derdhin gjak. Serbët duhet njëherë ta na kërkojnë falje, të na i kthejnë trupat e të dashurve tanë, e mandej ne mundemi me u ndalë e me mendu a t’i falim apo jo?”.

Si asnjëherë më parë, le të ndalemi sot e të mendojmë sa pak kemi bërë për këtë kategori të luftës, e sa shumë që u kemi borxh atyre.