Lajme

Kurti: Draft-statuti dëshirë për Republika Sërpska në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se draft-statuti i prezantuar nga ekipi menaxhues në takimin me presidentin serb, ka qenë fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës.

Pas takimit, para mediave Kurti ka thënë se ka propozuar një draft të cilin ai e ka quajtur “draft-vizion” mbi kornizën që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

“Në këtë takim pas marrëveshjes [për të pagjeturit ne e dëgjuam me durim dhe vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft-statut në gjithsej 67 nene dhe më pas dhamë qëndrimi tonë se një draft i tillë çfarë dëgjuam e lexuam është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj ne do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje. Me këtë rast unë propozova një draft vizion si kryeministër përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10. Gjithsej në 10+1 pika kam propozuar një vizion se si do duhej të ishin vlerat dhe principet, korniza që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, pakicave”.

Kryeministri i Kosovës ka treguar se gjatë takimit ka dorëzuar edhe një dokument se si nga 27 shkurti kur është arritur marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia e ka shkelur atë.

“Në këtë dokument shihet qartë, e në mënyrë faktike e të dokumentuar, se nga 11 nene të marrëveshjes bazë, tetë prej tyre i ka shkelur Serbia. Vetëm në muajt mars e prill janë shkelur tetë nene. Dorëzova edhe një dokument me tri deklarata të presidentit të Serbisë ku ai thotë se nuk është pajtuar me marrëveshjen bazë që ta zbatojë në tërësi”, tha Kurti.

Ai ka treguar se ka kërkuar garanci nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, dhe nga emisari për dialogun Miroslav Lajçak, nëse ka dakordim. Kurti tha se këtë garanci e ka marrë. Kurti po ashtu ka treguar se ka dorëzuar edhe një dokument për anëtaren e Ekipit Menaxhues të hartimit të draft-statutit për Asociacionin, Danijela Vujiçiq.

Thash se ajo është betuar në Parlamentin e Serbisë dhe ka konflikt interesi. Kam renditur disa fakte për koordinatoren. Ua thashë në mënyrë të argumentuar e të logjikshme se draft-statuti është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë e rrjedhimisht është mirë sa më parë të fillojmë diskutimet mbi bazën e një draft-vizioni çfarë propozova unë. Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, që dekomisionoj veten me rastin e prezantimit, është rezultat i dëshirës për Republika Sërpska në Kosovë. Ekziston dëshira për Republika Sërpska në Kosovë e kjo e ka shkruar këtë statut. Draft-visioni është inspiruar për një marrëveshje të bërë nga Serbia për normalizim të marrëdhënieve me Kroacinë. Kjo marrëveshje parasheh të drejtat e dispozitat për mbrojtje të pakicës serbe në Kroaci. Jam inspiruar prej atij modeli. Kroacia doli shtet i pavarur nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Ne jemi pjesë e të njëjtit procesit të shpërbërjes. Duke marrë parasysh se Kroacia është anëtare e BE-së, NATO-s dhe i ka normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, edhe ne po aspirojmë këtë drejtim. Ishte model i duhur nga ku unë e mora frymëzimin për të shkruar draft-vizionin me 11 pika apo 10+1”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja për Asociacionin e dakorduar në Bruksel nuk ka kaluar testin e Kushtetutës së Kosovës.

Ai ka thënë se ato dokumente ishin nënshkruar e përgatitur në “mënyrë amatore”.

“Me këto marrëveshje thuhet se në 4 komuna në veri të Kosovës komandanti i policisë duhet të jetë serb. Serb është prejardhje nacionale, e jo profesionale. Nuk mund të jetë dikush komandat i policisë shqiptar apo serb vetëm për shkak të nacionalitetit, por duhet të jetë për shkak të kualifikimit profesional. Janë nënshkruar marrëveshje nuk është menduar shumë”, tha Kurti.