Kurti akuzon Serbinë se po vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fillimvitit, duke përfshirë arrestimin e qytetarëve nga Kosova dhe rrahjen e politikanëve serbë që mendojnë ndryshe, po vazhdon rrugëtimin drejt metodave të presidentit rus, Vladimir Putin.
Në fjalimin e tij para mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se viti ka nisur me lajme të mira për Kosovën, përfshirë liberalizimin, por ka shtuar se përkundër ndryshimeve, edhe sivjet “po tregohet se fqinji i vjetër, po përkeqësohet”.
Ai ka marrë shembull për sjelljen dashakeqe të Serbisë, arrestimin e dy qytetarëve nga Kosova dhe rrahjen e politikanit opozitar Nikola Sanduloviq.
“Serbia nuk është rrezik vetëm për Ballkanin, por edhe për qytetarët e saj. Është rasti me liderin opozitar serb Nikola Sanduloviq. Shteti serb, përveç që e rrahu, i ngriti aktakuzë për nxitje urrejtje pasi u përkul në varrin e 7-vjeçares Blerina Jashari, e cila u vra nga forcat serbe. Mënyrat dhe sjelljet jodemokratike pasqyrojnë atë që ndodh në Serbi. Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit, nga frikësimi deri te torturimi çnjerëzor i kundërshtarëve politikë, në drejtim të kundërt me obligimet në kuadër të marrëveshjes bazike mes Serbisë dhe Kosovës. Ata [Serbia] janë gjithnjë më e larg vlerave të BE-së dhe të integrimit evropian dhe euroatlantik, të cilin edhe në teori e pretendojnë gjithnjë e më pak”, ka thënë Kurti.
Kurti ka folur për arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, në Serbi më 5 janar, duke thënë se përveç tij, edhe dy qytetarë të tjerë të Kosovës po mbahen padrejtësisht në burg. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar ekstradimin e tyre, por s’ka marrë përgjigje.
“Megjithatë, përkundër ndryshimeve pozitive për vendin tonë, edhe ky vit po na tregon një fqinj të vjetër i cili po përkeqësohet. Javën e kaluar, dy qytetarë të Kosovës, Xhavit dhe Hasan Dakaj, u ndaluan dhe u arrestuan në Serbi. Hasan Dakaj vazhdon të mbahet padrejtësisht në burg. Kjo është sjellje e qëllimshme dhe dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Serbia vazhdon të mbajë në paraburgim edhe dy qytetarë të tjerë, Petrit Dulaj dhe Nezir Mehmetaj. Të dy po mbahen në burg për gjoja krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Mehmetaj ka qëndruar me muaj të tërë në paraburgim pa aktakuzë, në kundërshtim edhe me vetë ligjet e Serbisë. Dulaj vuan burgimin përkundër që dëshmitari e mohoi se ai e ka kryer veprën. Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar ekstradimin e të dyve nga Serbia. Përgjigje s’kemi pranuar kurrë”, ka deklaruar Kurti.