Lajme

Kuriri serb: “Trump është shprehur se Serbia nuk do të mbetet pa asgjë në Kosovë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka një plan të ri për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka dërguar porosi të qartë: Serbia nuk mund të mbetet pa asgjë në Kosovë, shkruan sot e përditshmja serbe “Kurir”, transmeton lajmi.net.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton raportohet se mund ta vizitojë Beogradin dhe Prishtinën duke sjellë edhe skenare të reja për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, dhe atë në dobi të Serbisë, shkruan “Kurir”.

E përditshmja serbe shkruan për iniciativën e re të presidentit të SHBA-së, Donald Trump në lidhje me një zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës dhe planit për kompromis ku asnjëra palë nuk do të jetë humbëse, transmeton lajmi.net.

Porosia e tij pritet të sillet nga Bolton i cili thuhet se planifikon një vizitë në Beograd dhe Prishtinë në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit.

Mirëpo, mediat serbe dhe Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq kanë thënë se vizita e Boltonit do të realizohet vetëm nëse Kosova krijon kushtet për vazhdim të dialogut duke hequr taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe.