Shqipëri

‘Kufijtë’, Rama nga Berlini: Mbështesim SHBA dhe BE. Të tjerat janë “dokrra hini”

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për DW, ku është pyetur ndër të tjera edhe për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Rama ka thënë se ka një proces të domosdoshëm dialogu dhe Shqipëria mbështet marrëveshjen që mbështetet nga SHBA-BE.Sipas Ramës, Kosova pa SHBA s’do ishte çliruar e s’do ishte e pavarur.

Pjesë nga intervista:

Pyes, sepse është krijuar përshtypja se kohët e fundit ju po afroheni më shumë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat aktualisht po bëjnë edhe presion të madh për çështjen e Kosovës.

Edi Rama: Shtete Bashkuara të Amerikës kanë qenë të angazhuara dhe mbështetëse të Kosovës qysh në ditën një dhe pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kosova nuk do të ishte çliruar dot nga kthetrat e Beogradit dhe nuk do të ishte dot shteti i pavarur që është sot. Kështu që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë qysh në ditën një mbështetëse të palëkundura të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe qysh në ditën një Shqipëria ka qenë qartësisht e shprehur për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se kush ka qenë në qeveri, e majta dhe e djathta.

Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve si zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës. Një argument është se kjo zgjidhje e dialogut Serbi-Kosovë do ta vononte hyrjen e vendeve të rajonit në BE. A pajtoheni me këtë argument?

Edi Rama: Në këndvështrimin tim ka një proces të domosdoshëm dialogu, i cili duhet të finalizohet dhe padyshim që duhet të finalizohet në një marrëveshje historike mes Serbisë dhe Kosovës. Përsa na takon neve, ne mbështesim çdo marrëveshje që ka pa ekuivok mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Kaq. Të tjerat pastaj janë “dokrra hini”, siç thoshte At Gjergj Fishta.