Lajme

Kryministri Kurti: Jemi në krizë e gjithë bota, qytetarët i lusim të racionalizojnë shpenzimin e energjisë

Kosova është duke përjetuar një krizë të madhe të energjisë elektrike, ku si rrjedhojë shumë qytetarë janë ankuar dhe madje janë paralajmëruar edhe protesta rreth rikthimit të reduktimeve.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se kriza energjetike nuk është vetëm në Kosovë dhe rajon, është në gjithë Evropën.

“Por, neve na ka goditur si një popullsi e varfër që jemi. Dhe me këtë rast, ne po përpiqemi që nëpërmjet subvencionimit të konsumit në njërën anë dhe rregullimit të bllokut B2 të termoelektranave në anën tjetër, sadopak ta zbusim këtë situatë e cila nuk do të mund të përfundojë shpejt, meqenëse këto ditë ngarkesa bazë është diku rreth 900 megavat, ndërkaq që shpenzimi arrin edhe 1.4 gigavat, kurse i gjithë kapaciteti prodhues, sikur të punonte edhe blloku B2, nuk do të ishte më shumë se 900 megavat”, ka thënë ai.

Tutje, i pari i ekzekutivit tregoi se Kosova është detyruar që të importojë energji elektrike, dhe çmimet janë bukur të shtrenjta.

“Në këtë situatë ne jemi të detyruar të importojmë energji elektrike dhe këtë po e bëjmë me çmime bukur të shtrenjta, për shkak se bursa ndërkombëtare është goditur rëndë nga çmimet gjithnjë e më të larta të gazit. Pra, në njërën anë subvencionojmë konsumin, do të ndihmojmë edhe familjet që janë më të varfra, por në anën tjetër, gjithashtu u kemi bërë thirrje qytetarëve që sa më shumë që të munden, ta racionalizojnë shpenzimin dhe u jemi mirënjohës për përgjigjen pozitive”, shtoi Kurti.