Kryetari Arifi me bashkëpunëtorët mbajti takim me përfaqësuesit e GIZ-it lidhur me projektin e Ngrohtores së qytetit
Gjatë ditës së sotme Kryetari i Komunës Shqiprim Arifi me bashkëpunëtorët e tij, mbajti takim me përfaqësuesit e GIZ-it lidhur me projektin e Ngrohtores së qytetit.
Pas përfundimit të studimit të fizibilitetit mbi ndërtimin e Ngrohtores së qytetit, e cila do të përfshijë objektet e institucioneve publike, objektet shkollore (Prof Ibrahim Kelmendi, Skënderbeu dhe SHMT Presheva), Shtëpinë e Kulturës, Shtëpinë e Shëndetit, objektin e Qendrës për Punë Sociale, Zyrat e NP Moravicës, zhveshtores së Qendrës Sportive Presheva etj., përfaqësuesit e organizatës gjermane për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar dhe ekspertët e tyre, i prezantuan Kryetarit të Komunës dhe bashkëpunëtorëve të tij, ecurinë e realizimit të aktiviteteve të deritanishme, si dhe hapave të mëtejmë që lidhen me realizimin e projektit të Ngrohtores së Qytetit.
Sipas përfundimeve të studimit, do të ndërtohet ngrohtorja me lëndë djegëse të biomasës, si projekt ambiental, përmes të cilit pritet të ulen kostot e shpenzimeve për ngrohjen e këtyre objekteve.
Projekti është duke u realizuar në dinamikë të kënaqur dhe shpresohet që gjatë vitit 2020 të fillohet me ndërtimin e Ngrohtores së qytetit, si një projekt kapital për Komunën tonë.