Kryeministri Rama thotë se shqiptarët që dolën kundër Bregoviqit janë të njëjtë me serbët që ofenduan Dua Lipën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një reagim një ditë më vonë pas lëshimit të gazlotsjellësit në koncertin e këngëtarit serb, Goran Bregoviq në Festën e Birrës në Korçë. Pavarësisht se pati të lënduar nga gazlotsjellësi, koncerti nuk u ndërpre nga organizatorët.
Rama, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se shqiptarët që “e trajtuan si kriminel lufte” Bregoviqin nuk dallojnë me serbët që ofenduan këngëtaren shqiptare, Dua Lipa, nëpër rrjetet sociale.
Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i mveshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht?”, ka deklaruar ai.
Kryeministri i Shqipërisë ka thurur lavde ndaj këngëtarit serb, duke e quajtur atë si “një ndër muzikantët më të jashtëzakonshëm të Ballkanit”, derisa tha se nuk u arrit të argumentohej akuza për nxitje të nacionalizmit serb.
Bregoviq supozohet se zgjoi nacionalizmin serb, si dhe nxiti ushtarët paramilitarë serbë që të kryejnë masakra në Kosovë. /Gazeta Express/