Shqipëri

Kryemadhi: Rama po përdor tragjedinë për t’i mbyllur gojën mediave

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama, teksa e akuzon se ai po ushtron një sulm të paprecedentë kundër lirisë së medias në vend.

Me një status në “Facebook”, Kryemadhi u shpreh se mbyllja e JOQ Albania, censurimi i editorialit të analistit Adrian Thano apo burgosja e aktivistes Xhulia Aliaj për postimin e një shkrimi të një media të huaj shumë prestigjioze si “Avenire”, janë dëshmi tronditëse të një autoritarizmi të shfrenuar që keqpërdor edhe tragjedinë e tërmetit për qëllimet e saj të mbrapshta të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht.

Kryemadhi ka bërë apel për lirimin e menjëhershëm të Xhulia Alias, zhbllokimin e JOQ Albania si dhe ndaljen e censurës kudo dhe ndaj çdo media që ajo shfaqet.

Postimi i plotë i Kryemadhit:

Kryeministri në sulm kundër lirisë së medias.

Krahas fatkeqësisë së jashtëzakonshme të tërmetit të 26 Nëntorit, i gjithë opinioni publik po përjeton edhe një sulm violent të Kryeministrit ndaj mediave, veçanërisht atyre sociale.

Përdorimi i një situate tragjike të përmasave të tilla, si një shkak për t’i mbyllur gojën mediave është një tronditje e vërtetë për lirinë e medias në Shqipëri, që do të thotë liri e shprehjes dhe e informimit.

Mbyllja e JOQ Albania, censurimi i editorialit të analistit Adrian Thano apo burgosja e aktivistes Xhulia Aliaj për postimin e një shkrimi të një media të huaj shumë prestigjioze si “Avenire”, janë dëshmi tronditëse të një autoritarizmi të shfrenuar.

Mbështes lirinë e plotë të medias dhe dënoj censurën në të gjitha format e saj, pasi censura e medias është prova e pakundërshtueshme e vendosjes së autoritarizmit dhe goditjes së themeleve të demokracisë.

Arrestimi i aktivistes Xhulia Aliaj dhe shpallja në kërkim sikur të ishin kriminelë e dy administratorëve të JOQAlbania Erland Dalliu dhe Gentian Çengeli, dëshmojnë për një histeri autoritare që keqpërdor edhe tragjedinë e tërmetit për qëllimet e saj të mbrapshta të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht.

Ka vetëm një përgjigje, ka vetëm një qëndrim, ka vetëm një veprim që duhet të kryhet. Të lirohet menjëherë aktivistja Xhulia Aliaj, të zhbllokohet JOQ Albania si dhe të ndalet censura kudo dhe ndaj çdo media që ajo shfaqet.