Lajme

Kroaci, 370 tekste për mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqiptare

Është bërë e ditur se në Kroaci 370 tekste shkollore dhe plotësuese të paracaktuara për mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqiptare, dërguar falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën, arritën tashmë te mësuesit e shkollave shqipe atje, pikërisht në kohën e duhur për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021, transmeton albinfo.ch.

Librat, të dërguar nga QBD-ja, nën kujdesin e veçantë të ministrit të Shtetit për Diasporën, mbërritën përmes MEPJ-së e Postës Shqiptare, në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë.

Shpërndarja e teksteve tashmë ka filluar. Ambasadori z. Riza Poda priti në takime të veçanta Kryetarin e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare për Prefekturën e Zagrebit, z. Memetali Zenuni dhe Kryetarin e Unionit të Shqiptarëve në Kroaci, z. Esad Çollaku, të cilëve u dorëzoi tekste të gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës shqiptare në Kroaci.

Tekste të ndryshme shkollore, tekste cilësore që kanë shenjuar letërsinë shqipe, seria më e re e botimeve dygjuhëshe nga Qendra e Botimeve për Diasporën, një sërë vlerash, materialesh të ndryshme didaktike, akses online të botimeve tona dhe të platformës së mësimit shqip “Schoolme” janë tashmë në dispozicion të mësuesve për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporën e SHBA-së.

Të gjithë librat e dërguar nga QBD-ja janë falas për fëmijët që ndjekin shkollat e gjuhës shqipe.