Krasniqi: Nga vendimi i Supremes s’humbi askush, fitoi Kosova
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se me vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme, e cila e la në fuqi vendimin e PZAP-së për anulimin e votave të kontrabanduara nga Serbia, nuk duhet parë si humbje a fitore politike.
Sipas tij, askush nuk ka fituar a humbur deputet, numrin e tyre e ka caktuar sovrani.
Krasniqi thotë se vendimi është fitore juridike e Kosovës e cila paralajmëron siguri juridike për çdo qytetarë të Republikës sonë.
“Ky vendim sa është kushtetues e ligjor është i pavarur dhe profesional, i cili meriton të përshëndetet nga të gjithë, si nga politika ashtu edhe nga individët e cilitdo komb, grupim etnik a fetar”, ka thënë ai.
Sipas tij, siguria juridike e secilit qytetarë, është e garantuar vetëm aty ku vendimet kanë mbështetje në ligjet në fuqi.
Krasniqi thotë se në cilindo vendim gjyqësor që nuk buron nga ligji, mungon siguria juridike.
“Aty ku mungon siguria juridike, mungon edhe shteti i se drejtës. Aty ku mungon shteti i se drejtës, sundon arbitrariteti dhe pasiguria për qytetarët. Kudo që ka arbitraritet ka pasiguri juridike, pasiguri qytetare dhe rebelim qytetarë, Vendi ynë ka nevojë dhe pret siguri juridike për qytetarët e tij”, ka thënë ai.
Ai thotë se në shtetin e së drejtës, ku sundon rendi e ligji, ku zhvillohet e sundon demokracia, siguri juridike duhet të ketë jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët.
“Për rastin që po flasim, me vije mirë që NISMA Socialdemokrate ka treguar profesionalizëm të lartë për të mbrojtur kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në Kosovë. Ne jemi të bindur se aty ku respektohet ligji, fitorja është e të gjithëve, pra aty nuk ka humbës e fitues. Partia fituese e zgjedhjeve duhet ta mbështet fuqishëm mbrojtjen e ligjit e të ligjshmërisë dhe të kërkon ketë praktikë pozitive në respektim të ligjit”, ka shkruar Krasniqi në një reagim, pas publikimit të vendimit të Supremes.