Lajme

Kosova paralajmron gjoba për vozitësit me targa serbe pa letra ngjitëse pas 8 tetorit

Deri më 8 tetor, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të Serbisë dhe që qarkullojnë brenda territorit të Kosovës, duhet të pajisen me letrat ngjitëse (stickers) të cilat duhet të vendosen mbi simbolet shtetërore në targat e tyre, kanë deklaruar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë se që nga 8 tetori, automjetet që kanë targa të Serbisë dhe mbi simbolet e të cilave nuk janë vendosur letrat ngjitëse, do të sanksionohen sipas ligjit.

“Në raste të tilla, prej të premtes, prej datës 8 tetor, kushdo që zihet brenda territorit të Kosovës pa stickers (letra ngjitëse), atëherë do të gjobitet në bazë të Ligjit për trafik”, thekson Tela.

Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe as Policia e Kosovës nuk e kanë bërë të ditur sesa do të jetë shuma monetare e gjobës ndaj vozitësve që qarkullojnë me targa të Serbisë dhe pa letra ngjitëse.

Më 30 shtator, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në dialogun në Bruksel, janë pajtuar që automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës, të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të vendit përkatës në targat e automjeteve.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka nisur më 4 tetor dhe në vendkalimet kufitare, të dyja palët kanë nisur t’i pajisin automjetet e vendeve përkatëse me letra ngjitëse për targat e tyre.

Hutimi i qytetarëve për letrat ngjitëse për targat?

Fillimi i zbatimit të marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit më 30 shtator, për disa qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë dhe kanë automjete me targa të Serbisë, ka shkaktuar huti.

Ata nuk e dinë se ku mund të pajisen me letra ngjitëse për targat e automjeteve të tyre përveç se në vendkalimet kufitare.

Millena, një qytetare serbe nga Graçanica, thotë se automjeti i saj bartë targa të Serbisë, ndërkohë që pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targat, që kishte nisur të zbatohej më 20 shtator, ajo kishte marrë targat e përkohshme, me të cilat qarkullon ende.

Millena thotë se ajo jeton në Kosovë dhe nuk ka dalë jashtë territorit të Kosovës në mënyrë që kur të hyjë në ndonjë vendkalim kufitare të marrë letrat ngjitëse për targat.

Deri më tash, sipas saj, nuk kanë marrë ndonjë sqarim nga autoritetet e Kosovës se ku duhet qytetarët që janë brenda Kosovës dhe që kanë automjete me targa të Serbisë, të pajisen me letrat ngjitëse.

“Thjesht, në jemi gjetur në situatën që në Kosovë jemi me targa të përkohshme dhe nuk e dimë se farë të bëjmë më tutje. Në fakt, unë me ato targa të përkohshme kam qarkulluar dhe kam ardhur në punë dhe nuk pata ndonjë problem edhe pse kishte policë në rrugë.

Kam parë edhe automjete të tjera që qarkullojnë me targa të përkohshme. Por, pyetja është se çfarë të bëjmë tutje, sepse ende nuk kemi një informacion zyrtar se çfarë të bëjmë, a duhet të shkojmë në vendkalime kufitare të për t’i marrë letra ngjitëse apo kjo do të mundësohet në qendrat e regjistrimit, ashtu si ishte rasti edhe me targat e përkohshme”, thekson Millena.