Lajme

Kosova konfirmon dy raste me variantin Delta të koronavirusit

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka konfirmuar të martën dy raste me variantin Delta të koronavirusit.

Sipas Ministrisë, mostrat janë testuar në Institutin e Virologjisë të Klinikës Unversitare Charite në Berlin.

“Të dyja rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar”, është thënë në njoftimin e Ministrisë.

Varianti Delta, i identifikuar fillimisht në Indi, është klasifikuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Një variant veçohet si i tillë, kur është më ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave.

Zyrtarë të OBSH-së, kanë konfirmuar se vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit, “janë efektive”, kundër variantit Delta.

Rastet ditore me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën gjashtë raste të infektimit me koronavirus pas testimit të 1,933 mostrave.

Përgjatë 24 orëve të fundit, nuk është regjistruar asnjë viktimë.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 29 qershor janë shëruar dhjetë pacientë nga sëmundja COVID-19, ndërsa raste aktive janë 166.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,749 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,258 kanë vdekur.

Kosova tashmë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit.

Deri më tani janë dhënë 170,098 doza të vaksinës.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka njoftuar se të hënën ka arritur në këtë shtet, kontingjenti i parë i vaksinave kundër koronavirusit, të prodhuara nga Pfizer/BioNTech.

Ky kontingjent prej 81.900 dozash vaksine, është rezultat i marrëveshjes së arritur mes kompanisë amerikane Pfizer dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në muajin maj, për më shumë se 1 milion doza.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet, që deri në fund të këtij viti, të vaksinojë 60 për qind të popullsisë kundër koronavirusit.