FutbollSporti

Kosova fiton me rezultat të ngushtë ndaj Gjibraltarit

Kombëtarja e Kosovës shënon fitore me rezultat të ngushtë 1:0 në përballje me modestët e Gjibraltarit, në ndeshjen miqësore që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

2142 shikues ishin në stadium, sidomos tifozët “Dardanët” krijuan atmosferë të lakmueshme. Kosova pas humbjes në sfidën kualifikuese në udhëtim me 5:3, i kthehet fitores por kësaj radhe në miqësore.

Për përzgjedhësin e kombëtares tonë, Bernard Challandes, ky test ka qenë jashtëzakonisht i mirë, për të parë formën e secilit lojtar para sfidës së madhe apo sikur finale me Malin e Zi, që luhet me 14 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të grupit A të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020.

Futbollisti Florent Hasani është protagonist i fitores, me golin që realizoi në minutën e 69-të. Kosova luajti pa disa lojtarë kryesorë, si Milot Rashica, Vedat Muriqi etj. të cilët u ruajtën për sfidën me Malin e Zi. Kosova pati mundësi të shënojë në minutën e 14-të, kur Bernard Berisha nga vija fundore harkoi bukur por Florent Muslija nga afërsia gjuajti mbi portën e portierit Goldwin.

Në minutën e 22-të, Bernard Berisha ka lëshuar një mundësi të artë për ta kaluar Kosovën në epërsi. Në periudhën e parë të lojës djelmoshat tanë ishin shumë më të mirë por të pafat që të shënojnë. Në pjesën e dytë përzgjedhësi Challandes bëri disa zëvendësime, të cilat dolën edhe të qëlluara. Në minutën e 57-të, Lirim Kastrati goditi mjaft mirë por topi shkon jashtë portës.

Futbollisti Valon Berisha ishte i pafat, se lehtë do të shënonte në minutën e 61-të. Ai nga rreth 16 metra goditi fuqishëm por topi për disa centimetra shkoi jashtë portës së portierit rival. Në minutën e 69-të, shpërthen stadiumi “Fadil Vokrri”. Zëvendësuesi Florent Hasani, që u inkuadrua në lojë në minutën e 46-të, me mjeshtri godet nga rreth 14-15 metra duke e plasuar topin në këndin e poshtëm të majtë të portierit zëvendësues Coleing, 1:0.

Gol që gëzoi pamasë tifozët në stadium që ishte përplot, 12142 shikues. Një fitore e ngushtë e Kosovës me rezultat 1:0 ndaj Gjibraltarit, por në fakt pak kishte rëndësi rezultati, se sa të shihet forma e secilit futbollist nga përzgjedhësi Challandes.