Kryesore

Kosova dhe Shqipëria bashkohen në një bllok të vetëm energjetik

Operatorët e Sistemeve të Transmisionit të Evropës (që operojnë brenda asociacionit ENTSO-E) votuan pozitivisht marrëveshjen e kyçjes me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës (KOSTT). Me këtë marrëveshje KOSTT merr obligimet dhe të drejtat e barabarta me Operatorët e tjerë të Evropës.

Kjo marrëveshje e re do të mundësojë operimin si një bllok i vetëm energjetik midis Kosovës dhe Shqipërisë. Interkonjeksioni, linja 400Kv midis Kosovës e Shqipërisë do të funksionalizohet. Për ndërtimin e saj ndihmoi e investoi mbi 75 milionë euro Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW. Por prej më shumë se 6 vitesh kjo linjë nuk mund të funksionalizohej.

Si operator i njohur ndërkombëtarisht, KOSTT, do të ketë qasje në mekanizmat ndërkufitarë të cilët krijojnë mundësi më të lehtë në tregun rajonal për operatorët tanë. Kjo do të reflektohet në të hyra shtesë për KOSTT-in. Humbjet tona direkte nga mospjesëmarrja në mekanizmat ndërkombëtarë arrijnë deri në 8 milionë euro në vit, përderisa ato indirekte vlerësohen të jenë edhe më të larta.

Ju rikujtojmë që në fillim të muajit dhjetor (2019), Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) kanë nënshkruar në Tiranë marrëveshjen për themelimin e bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri, e cila parashihej të fillojë së zbatuari nga muaji prill i vitit 2020.

Kjo marrëveshje i parapriu votimit të sotshëm, andaj duhet të pasojnë edhe hapa të tjerë domethënës, pasi që Kosova do të kontrollojë kufijtë energjetikë dhe si rrjedhojë do fillojë të inkasojë mjetet për energjinë që kalon në transimionin e Kosovës.

Linja energjetike e interkoneksionit Kosovë – Shqipëri që ishte shpallur si projekt i përfunduar para disa viresh, por sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, arsye kryesore e mosaktivizimit të kësaj linje ka qenë Serbia, e cila, siç thuhet, nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për energjinë, të nënshkruar në Bruksel në vitin 2013, ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Nga viti 2008 e deri tani, shteti i Serbisë, në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë euro.