Lajme

Kosova dhe Serbia takohen në nivel ekspertësh në Bruksel

Të shtunën dhe të dielën, në selinë e Shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian zhvillohen takimet mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të ekspertëve.

Në rënd dite, sipas burimeve diplomatike, janë tri emat për të cilat ishte diskutuar në takimet e mëhershme: çështja e të pagjeturve, çështja e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik.

Këta takime në nivel të ekspertëve kanë për qëllim që të përafrojnë qëndrimet e palëve në prag të takimit në nivelin e lartë që zhvillohet të hënën e ku do të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Për temat e përmendura, burimet e BE-së thonë se palët kishin bërë përparim në takimet e mëhershme dhe presin që të shfrytëzohet momenti për të rënë dakord për to.

Të hënën, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të priten nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak.

Sipas burimeve të BE-së, në takimin e nivelit të lartë do të diskutohet për çështjet pronësore dhe financiare si dhe për aranzhimet lidhur me komunitetet joshumicë në Kosovë.

Vazhdimi i dialogut në nivel të ekspertëve dhe takimi i nivelit të lartë vijnë menjëherë pas një takimi që palët patën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, më 4 shtator, ku arritën pajtim për disa çështje ekonomike.

Në BE nuk kanë dhënë shumë komente rreth marrëveshjeve në Uashington, pos asaj se “e marrin në dijeni këtë” dhe se presin vazhdimin e dialogut në Bruksel i cili ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura. /REL