Kosnett: Ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur për ta bërë Shqipërinë e Madhe as Serbinë e Madhe
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka komentuar deklaratat e politikanëve kosovarë rreth bashkimit me Shqipërinë.
Diplomati amerikan është shprehur ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur për të krijuar Serbinë e Madhe apo Shqipërinë e Madhe.
Kosnett ka thënë se do t’i vinte inat që njerëzit në Kosovë të hiqnin dorë nga shtetësia e Kosovës kur është pyetur për deklaratat nacionaliste nga politikanët kosovarë për bashkim me Shqipërinë.
“Komenti im për bashkimin me Shqipërinë ka qenë i pandryshueshëm. Ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar – dhe disa prej tyre nuk kanë vdekur – për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e Madhe në Ballkan. Do të tërhiqja vëmendjen te Kushtetuta, që bën thirrje për shoqëri shumetnike me liri fetare për të gjithë. ShBA-ja është vend shumetnik dhe edhe pas pothuaj 250 viteve, ne ende luftojmë të ndërtojmë shoqëri ku ka barazi para ligjit, mundësi të barabarta për të gjithë, ku grupet etnike dhe racat jetojnë në harmoni. Nuk është lehtë dhe siç e pamë, patëm pengesa, por ende po përpiqemi të ndërtojmë atë që etërit themelues e kanë quajtur “një union më të përsosur”. Do të më vinte mëri të shoh njerëzit në Kosovë duke hequr dorë nga kjo. Mendoj se Kosova përfiton që është shoqëri shumetnike, shumëfetare dhe bisedat për Shqipëri të Madhe, bisedat për Serbi të Madhe në Ballkan do të ishin dorëzim, do të ishin dështim dhe mendoj se kjo nuk është përgjigjja për problemet e vendit dhe të rajonit”, ka thënë Kosnett në një intervistë bër Gazeta Blic.
Ditë më parë, kandidati i AAK’së për president, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova nuk mund të pres derisa të tjerët të kenë disponim për të përfunduar shumë tema të hapura.
“Do të vjen ajo ditë që do të duhet me ditë presidenti i ri amerikan, kancelarja gjermane ose kancelarja ose kancelari i ri gjerman, se çka do t’i thonë Kosovës në vitin 2024, 2025, apo 2026, a kanë me i thënë rrini e pritni se kemi me bë diçka me juve”.
Haradinaj po ashtu ka thënë se do ta bëjë referendumin për bashkim kombëtar me Shqipërinë.
“Nuk kemi me pranu me mbet as konflikt i ngrirë e as nuk kemi me pranu me na nda, por kemi me shku në referendum për bashkim me Shqipërinë, mbane mend këtë, jo se na po duam, por qe 20 vjet i kemi dhënë fjalën perëndimit që po duam me respektuar një vizion të përbashkët për një Kosovë euro-atlantike me hy në BE me shku në NATO, me u bë anëtare e OKB-së, me na njohë Serbia, dhe me dashtë BE-ja me i bindë pesë vendet me na njoh jo me na lënë kështu vjerrë gjatë, deshi Amerika na ndihmoi me marrë njohjen e Izraelit, ndërsa ku janë partnerët tanë evropian, pse na mbajnë kështu të izoluam, pse na lënë me pritë, e kohë pas kohe na thonë se e keni këtë faj e atë faj. A nuk pat asnjë faj Serbia dhe vendet tjera fqinjë, ata të përkryer apo? Nuk mund të rrimë vjerrë derisa dikush ta ketë disponimin me u kry çështja e Kosovës”, tha Haradinaj