Lajme

Korrigjimi i kufijve do të bëhet në mënyrë paqësore, të mos ngatërrohet “korrigjimi” me “shkëmbim”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se të tjerët po e ngatërrojnë idenë e tij të shfaqur për bashkimin e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

Thaçi në Zonën e Debatit potencoi se ka dallim ideja e “korrigjimit të kufijve” me atë të “shkëmbimit të territorit”, të cilën e quajti pazar me shtetin, njofton Klan Kosova.

”Ideja ime është shumë e qartë. Serbia me vite  e me vite flet për ndarjen e Kosovës. Dhe ne është dashur t’i përgjigjemi Serbisë”.

”Dhe nëse diçka e tillë i lejohet Beogradit pa u refuzuar, atëherë do ta marrë përgjigjen për korrigjimin e kufijve”.

”Korrigjimi nënkupton Kosovën e pavarur dhe sovrane – me bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”.

”Askush të mos e përziejë idenë time të korrigjimit të kufijve me atë të shkëmbimit të territoreve”.

“Për mua, siç e kam theksuar çdo herë, shkëmbimi është Pazar. Jam kundër asaj ideje”.

”Jam vetëm pro korrigjimit që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës”.

”Për shkëmbimin kam folur edhe më herët, e kam thënë që e refuzojë atë ide, e ka thënë edhe Ibrahim Rugova, Nexhat Daci, por ky është pozicioni im”.

”Mua më intereson cila është objektiva ime dhe e qytetarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Idenë time nuk e shfaq në bazë të disponimit të Beogradit”.

”E respektoj legjitimitetin dhe kërkesën e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkim me Kosovën”.

”Unë nuk shoh asgjë të keqe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, i besoj këtij parimi, vizioni dhe kësaj ideje”.

”Korrigjimi i kufijve do të bëhet në mënyrë paqësore. Për mua në territor ndryshimi bëhet vetëm duke iu shtuar Kosovës, Lugina e Preshevës, Medvegja dhe Bujanoci”.