Konjufca: Deklarata e Shkëlzen Gashit gabim i madh, s’do ta pranoja në kabinetin tim
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka komentuar deklaratën e shumëpërfolur të këshilltarit të Kurtit, Shkëlzen Gashit për UÇK-në.
Konjufca, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se vendimi për Gashin i takon kryeministrit Kurti, por sipas tij nuk pajtohet me ato deklarata.
Ai ka thënë se e njeh shumë më mirë se Gashi raportin e Dick Martyt dhe sipas tij ai raport nuk është i bazuar në fakte.
“Mendoj që raporti i Dick Marty-it është inicuar nga Rusia”.
“Nuk pajtohem me Gashin. Ai është plotësisht gabim. Bile ka gabuar rëndë. UÇK-ja nuk ka bërë krime…Për UÇK-në askush nuk ka mundur të argumentojë se struktura komanduese e saj ka bërë krime”.
Konjufca ka thënë se deklarata e Gashit është huqje dhe se ai nuk do ta pranonte në kabinet të tij një këshilltarë të tij.
“Me Gashin nuk jam pajtuar për këto deklarata as në vitin 2002”, tha Glauk Konjufca./Telegrafi/