BotaKryesore

Kongresistja i përgjigjet Trumpit: Askush s’mund ta kërcënojë dashurinë time për Amerikën

Përballë sulmeve të presidentit Trump, republikanëve dhe medieve që përkrahin djathtistët, kongresistja amerikane, Ilhan Omar, ka thënë të shtunën se askush nuk mund ta kërcënojë dashurinë e saj të palëkundshme për Amerikën.

“Nuk kam garuar në Kongres për të qëndruar e heshtur”, shkroi Omar në Twitter, disa orë pasi presidenti Trump e shpërndau një video që përfshinte pjesë të fjalimit të saj dhe pamje nga sulmet e shtatorit të vitit 2001.

Omar i falënderoi përkrahësit e saj për kundërshtimin e administratës që, sipas saj, ua ka ndaluar myslimanëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

“Asnjë person, pavarësisht sa i korruptuar, i paaftë apo i dhunshëm që është, nuk mund ta kërcënojë dashurinë time të palëkundshme për Amerikën. Unë do të vazhdoj të luftoj për mundësi të barabarta për lumturinë e të gjithë amerikanëve”, shkroi ajo në Twitter.

Pas sulmit të presidentit amerikan ndaj kongresistes që është me prejardhje nga Somalia, demokratët e akuzuan Trumpin për nxitje të dhunës kundër saj. Javën e kaluar, një përkrahës i tij nga Nju Jorku u akuzua për kërcënim me vrasje ndaj Omarit.

Ndonëse kandidatët presidencialë e kanë mbështetur kongresisten, udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve nuk janë pajtuar për mënyrën e kundërpërgjigjes ndaj akuzave kundër saj, përfshirë akuzat për kritikat e saj kundër politikës amerikane për Izraelin, shkruan “The Guardian”, transmeton AlsatM.