“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” fton partitë e tjera shqiptare për dialog pa kusht
Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës fton partitë e tjera shqiptare për dialog pa kushte, në funksion të ndërtimit të listës së përbashkët
“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” fton partitë e tjera shqiptare për dialog, në funksion të bashkëngjitjes së tyre në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 3 prillit.
Marrëveshja e arritur e Partisë për Veprim Demokratik, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes për Progres Demokratik nënkupton fillim të ndërtimit të listës së përbashkët, jo përmbylljen e saj.
Mungesa e marrëveshjes gjithëpërfshirëse midis partive politike shqiptare të interesuara për pjesëmarrje në zgjedhje parlamentare, nuk nënkupton se nuk mund të firmosin marrëveshje midis tyre ato parti politike që arrijnë pajtueshmëri midis tyre.
Marrëveshja midis PVD, PD dhe LPD për ndërtimin e “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” është kryer midis nesh, por nuk është e mbyllur për të tjerë. Marrëveshja mbetet e hapur dhe ripërshtatet në rast të përfshirjes së partnerëve të rinj.
Jemi të hapur për bisedime pa kushte dhe i ftojmë partitë e tjera politike shqiptare për bisedime lidhur me bashkëngjitjen e tyre të mundshme në “Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës”.
Por duke qenë se afatet kohore dhe ligjore po konsumohen çdo ditë e më shumë, nuk kemi kohë të vonohemi edhe në plotësimin e detyrimeve procedurale, administrative dhe teknike.
Prandaj edhe kemi nisur sot mbledhjen e nënshkrimeve, në funksion të “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” me përbërjen aktuale. Por këto nënshkrime do të jenë në shërbim edhe të listës së përditësuar me partnerët e rinj eventual në rast të marrëveshjes me subjekte të tjera politike.
Konsensusi dhe uniteti nuk ndërtohen nëpërmjet fushatave me gjuhë denigruese e shpifëse, por nëpërmjet respektit të ndërsjellë, konstruktivitetit, gatishmërisë për dialog dhe kompromisit politik.