Të fundit

KKSh: Vazhdon puna e komisioneve për vlerësimin e projekteve të mbështetura nga Qeveria e Kosovës

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka bërë të ditur se po vazhdon me ritëm të plotë puna e komisioneve profesionale për vlerësimin e projekteve të thirrjeve publike të financuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Sipas kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepi, tashmë janë përmbyllur shumica e procedurave për tre nga thirrjet kryesore: Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore; Përdorimin Zyrtar të Gjuhës Shqipe dhe Simboleve; si dhe thirrjen për Shkollat dhe Organizatat Sportive.

Rexhepi theksoi se komisionet janë të përbëra nga profesionistë të fushave përkatëse, të cilët kanë punuar me përkushtim dhe pavarësi të plotë gjatë procesit të vlerësimit.

Komisioni i Kulturës përbëhet nga:

  • Kastriot Saqipi – regjisor
  • Leonora Pajaziti – aktiviste e shoqërisë civile dhe ish-udhëheqëse OJQ-sh
  • Qendrim Hetemi – udhëheqës i Shtëpisë Botuese “Albas”

Komisioni për Përdorimin Zyrtar të Gjuhës dhe Simboleve:

  • Kujtim Kadriu – jurist, sekretar në Komunalia
  • Fadil Aliti – jurist, ish-shef i administratës në Bujanoc
  • Refik Shemsedini – jurist në administratë

Komisioni për shkollat dhe organizatat sportive:

  • Sedat Pajaziti – ish-futbollist dhe trajner
  • Berina Kamberi – profesoreshë e edukatës fizike dhe trajnere
  • Nijazi Nuhiu – profesor në OKF, trajner i volejbollit dhe fitnesit

Në ditët në vijim pritet të nisë edhe vlerësimi i projekt-propozimeve në fushën e informimit, ku komisioni përkatës përbëhet nga gazetarë të njohur të Luginës:
Alban Selimi (RTK), Faruk Daliu (Bujanoc) dhe Hasan Hasani (Preshevë).

Rexhepi siguroi se puna e çdo komisioni është “tërësisht e pavarur”, me secilin anëtar që vlerëson individualisht përmes fletës standarde të vlerësimit, duke analizuar kapacitetin institucional të aplikantit, relevancën e projektit, buxhetin e planifikuar dhe përputhjen me prioritetet e thirrjes.

“Ajo që marr përsipër të them me përgjegjësi të plotë është se çdo organizatë do të vlerësohet pa asnjë ndikim politik, vetëm mbi cilësinë e projektit dhe punën e dëshmuar. Përkatësia politike nuk do të jetë as avantazh e as disavantazh,” – u shpreh ai.

Pas përfundimit të të gjitha fazave të vlerësimit, KKSH do të publikojë listën e përgjithshme me pikët e çdo organizate, grupi joformal apo individi aplikues.

Kryetari Rexhepi falënderoi të gjithë anëtarët e komisioneve për profesionalizmin dhe angazhimin e tyre, si dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen institucionale që ka mundësuar dorëzimin e 177 projekteve, të cilat synojnë zhvillimin kulturor, arsimor dhe shoqëror të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak.

“Faleminderit Kosovë,” përmbylli ai.