KKSh dhe Ambasadori i Shqipërisë, sjellin “Sofrën Shqiptare” në Novi Pazar
Në vazhdën e aktiviteteve #VeçShqip, pjesë e projektit “NëntorLugine”, në Novi Pazar u organizua “Sofra Shqiptare”, një event i dedikuar ushqimeve tradicionale të shqiptarëve të Sanxhakut. Aktiviteti u mbështet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të programit për përkrahjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh).
Praninë e bëri edhe më domethënëse kryetari i KKSH-se Enkel Rexhepi dhe Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Sh.T. Bardhyl Canaj, i cili u mirëprit nga organizatorët dhe pjesëmarrësit.
Atmosfera ishte e ngrohtë dhe e mbushur me emocion, teksa fryma shqiptare në Sanxhak u reflektua në çdo detaj – në gjuhë, në traditë dhe në mënyrën se si ruhet identiteti. “Të jesh shqiptar në këtë hapësirë është sfidë, por edhe dinjitet”, u theksua në mesazhin e kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepi.
Eventi nuk ishte vetëm një paraqitje e shijeve tradicionale, por një rikujtim i rrënjëve, kulturës dhe qëndrueshmërisë së shqiptarëve të Sanxhakut, të cilët vijojnë ta mbajnë gjallë traditën me përkushtim dhe krenari.
