Kjo është letra që Kurti e nisi drejt Parlamentit Europian me ankesat ndaj Thaçit
Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti i ka shkruar Parlamentit Europian në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Në letrën e cila mban datën e sotme 8 Maj, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht Klan Kosova, Kurti iu shkruan në detaje anëtarëve të Parlamentit Europian, se si rrodhi gjithë procesi i rrëzimit të Qeverisë nën udhëheqjen e së cilës ishte vet ai.
Pas procesit të iniciimit të mosbesimit ndaj Qeverisë në të cilën bashkë ishin VV e LDK, Kurti iu thotë europianëve në letër që ishte Presidenti Hashim Thaçi vet ai i cili nuk përmbushi detyrat e tij kushtetuese, njofton Klan Kosova.
”Në nenin 82.2 të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti është i detyruar të shpërndajë Kuvendin dhe të thërras zgjedhje të reja.
Por jo vetëm që ai nuk e përmbushi këtë detyrë kushtetuese, por ai gjithashtu luajti një rol aktiv, duke marrë përsipër nismë vetjake në përpjekjen për të formuar një qeveri të re, megjithëse një rol i tillë është shprehimisht i ndaluar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me nr. 103/14”.
Kjo është vetëm një pjesë e letrës të cilën klankosova.tv e ka ndarë ekskluzivisht me lexuesit e saj, detaje të tjera mund t’i ndiqni në edicionet e ardhshme të lajmeve në Klan Kosova.