Lajme

Kjo është harta e minishengenit në mes Ramës dhe Vuçiq, Kosova pjesë e Serbisë?

Takimi i radhës në mes Rames dhe Vuçiqit, për ta vulosur këtë pakt, raportojnë mediat serbe, do të mbahet me 21 dhjetor në Durrës

Bashkëpunimi ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, për krijimin e “Mini Shengenit” duket se do të finalizohet më 21 dhjetor në një takim që do të mbahet në qytetin bregdetar të Durrësit në Shqipëri, raporton Gazeta Express.

Në këtë takim përveç krerëve të Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë Veriore, thuhet se do të marrë pjesë edhe shefi i ri i Politikës së Jashtme të BE’së, spanjolli Josep Borel, i cili para pak kohësh kishte bërë një deklaratë në të cilën kontestonte shtetësinë e Kosovës, duke thënë se “Kosova do të jetë shtet kur të njihet nga Kina, Rusia e India”.

E ky projekt Rama-Vuçiq do të ketë edhe një hartë të vetën, në të cilën në mënyrë skandaloze Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.

Gazeta serbe “Blic”, në një shkrim të gjatë të publikuar rreth këtij projekti, ku flitet për përfitimet e Serbisë dhe sfidat me të cilat do të përballet Beogradi, ka publikuar edhe hartën tragjike.

Kundër nismës së dyshes Rama-Vuçiq kanë dalë e gjitha klasa politike në Kosovë. Shpinën kryeministrit të Shqipërisë ia ka kthyer edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka kritikuar ramën që po merr pjesë në nisma të shteteve të cilat nuk e njohin Kosovën.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ndërkohë e ka akuzuar Ramën se po synon që të krijojë “Jugosllavinë e vogël”.

Ndërkohë kreu i VV’së, Albin Kurti, ka thënë se Edi Rama po nxitohet, duke e këshilluar që ta zgjedh për bashkëpunim Kosovën përpara Serbisë.

Lidhur me këtë nismë për Gazetën Express kanë folur edhe nga Bashkimi Evropian. Maja Kocijancic ka kritikuar Ramen e Vuçiqin, duke thënë se në iniciativa të tilla duhet përshirë të gjitha shtetet e rajonit.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe Matthew Palmer, i dërguar Special i SHBA’së për Ballkanin Perëndimor.