Kjo dyshohet të jetë arsyeja që mund ta ketë çuar Naimin drejt vrasjes së Liridonës
Vrasja e Liridona Murseli Ademajt, ka tronditur opinionin në Kosovë dhe më gjerë.
Prapa kësaj vepre makabre, që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Bërnicë të Prishtinës, dyshohet se është burri i saj, Naim Murseli, bashkë edhe me dy persona të tjerë.
Thuhet se Naim Murseli ka pranuar para organeve të drejtësisë organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridonës.
Por, cila ishte arsyeja që e nxiti atë drejt kësaj ngjarje tragjike?
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se Naim Murseli, para një kohe i ka paguar sigurimin jetësor Liridonës në një kompani të fuqishme suedeze.
Sigurimi jetësor ndër të tjera garantonte që në rast të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie jetësore, mund të mbulonte shpenzimet deri në 20 milionë euro.
Naim Murseli dyshohet se ka qenë në dijeni për këtë shumë shpaguese dhe mund të jetë inspiruar që të organizojë fundin tragjik të nënës së dy fëmijëve të tyre.
Deri më tani nuk dihet nëse Murseli ka treguar para organeve të drejtësisë arsyen që e ka çuar ta kryej këtë krim, por një nga pistat e besueshme mund të jetë kjo, bazuar në burime të afërta me ish-çiftin.