Kisha Ortodokse Serbe proteston në Mal të Zi
Me qindra serbë në Mal të Zi, nën drejtimin e zyrtarëve të Kishës Ortodokse Serbe, kanë protestuar sot në kryeqytetin e vendit.
Protestuesit u drejtuan nga Metropoliti Amfilohije, kreu i Kishës Ortodokse Ukrainase që është besnik i patriarkatit në Moskë.
Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, ka akuzuar Serbinë dhe Rusinë se po përdorin kishën për të dëmtuar pavarësinë e vendit, anëtarësimin në NATO dhe procesin e integrimit për në BE.
Beogradi dhe Moska i kanë mohuar akuzat.
Protesta vjen pasi qeveria ka në plan të nisë zbatimin e një ligji që synon t’ia kalojë shtetit malazez ato prona që grupet fetare nuk i kanë me dokumente që të datojnë para vitit 1918, kur Mbretëria e Malit të Zi iu bashkua Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila çoi drejt krijimit të Jugosllavisë.
Për serbët, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë së Malit të Zi, kjo është një mënyrë për t’u marrë pronat e kishës e për t’u ulur statusin në vend.
Kisha Ortodokse Serbe ka pasur një rol tepër të rëndësishëm në mbjelljen e nacionalizmit që çoi drejt konfliktit në Ballkan, në fillim-vitet 1990, pas rënies së Jugosllavisë.
Për serbët, Mali Zi është djepi i tyre mesjetar, dhe aty menaxhojnë shumë kisha, manastire e prona të ndryshme.
Kisha Ortodokse Serbe ka rreth 12 milionë ndjekës në Serbi, Bosnje e Mal të Zi, dhe është grupimi më i madh fetar në vendin me 620 mijë banorë.
Priftërinjtë dhe protestuesit, të cilët mbanin flamuj serbë dhe simbole të kishës, ndaluan pë të thënë lutjet, ndërkohë që klerikët thonë se protesta është vetëm për të drejta fetare e prone, pasi ligji i diskriminon nga pronarët e tjerë të tokave në vend.