Lajme

Këshilltari i Thaçit thotë se Kurti e ka kërcënuar Gjykatën Kushtetuese

Adil Behramaj, këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi ka thënë se Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka quajtur joprofesionale dhe të anshme Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, kjo nuk guxon të ndodhë në një shtet demokratik, por Kurti me këtë qasje po tregon që për gjithçka si autoritet përfundimtar e njeh vetëm veten e tij.

“Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Ajo është e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj. Por, para 9 ditësh, Albin Kurti si kryeministër në detyrë i paska dhënë vetës të drejtë ta gjykojë edhe Gjykatën Kushtetuese”.

“Pavarësisht pëlqimit apo mospëlqimit të vendimeve të saj, Gjykatës Kushtetuese ia respektojnë të gjithë autoritetin dhe pavarësinë. Ndërsa, si kryeministër në detyrë i Qeverisë së Kosovës, ky edhe zyrtarisht e paska quajtur joprofesionale dhe të anshme. Si të kundërligjshme dhe si presion mbi Qeverinë i paska cilësuar edhe njoftimet e saj”.

Në këtë “përkujtesë” zyrtare, Kurti e paska akuzuar Gjykatën Kushtetuese edhe për privilegjim të parashtruesve të kërkesave. Dhe, për të mos u mjaftuar me kaq, autoritetin përfundimtar të interpretimit ligjor në Republikën e Kosovës, që çdo institucion as nuk ia komenton vendimet, por thjesht i zbaton, Albin Kurti si kryeministër në detyrë edhe e paska kërcënuar”.

“Kjo nuk guxon të ndodhë në një shtet demokratik, por Kurti me këtë qasje po tregon që për gjithçka si autoritet përfundimtar e njeh vetëm veten e tij”