Kërkohet që Dritan Abazoviq të marrë postin e kryeministrit në Mal të Zi
Imazhi i politikanit shqiptar nga Ulqini, Dritan Abazoviq, po shkon duke u forcuar në Mal të Zi. Dhe kësaj po i ndihmon edhe rënia e autoritetit të kryeministrit aktual, Zdravko Krivokapiq.
Drejtori i Shoqërisë për Kërkime dhe Teori Politike në Podgoricë, Vladimir Paviçeviq, vlerëson se është koha që kryetar i Qeverisë së Malit të Zi të jetë Abazoviqi, që aktualisht është zv.kryeministër.
Paviçeviq në një intervistë për mediat serbe ka thënë se Krivokapiq që nga marrja e mandatit në shumë paraqitje ka treguar dezorientim në politikën logjike, transmeton koha, përcjell Albinfo.ch.
Së fundi, ai e ka kritikuar kryeministrin edhe për rastin e ministrit të Drejtësisë, Vladimir Leposaviq, një politikan proserb, i cili vuri në dyshim gjenocidin në Srebrenicë. Krivokapiq ia ka kërkuar ministrit dorëheqjen dhe pasi nuk e ka marrë atë, e ka iniciuar procedurën për shkarkim në Kuvend.
Sipas Paviçeviqit, kryeministri Krivokapiq ka treguar dobësi të mëdha.
“Fjala kyç për të definuar veprimtarinë e tij në këta katër muaj është paaftësia dhe krizat që vijnë nga kjo paaftësi”, ka thënë Paviçeviq. Ai thotë se kryeministri ka mbetur pa asnjë pikë autoriteti, pa peshë politike dhe se kjo krizë mund të përfundonte me largimin e tij.
“Krivokapiq të tërhiqet dhe vendin e tij në qeveri ta zërë Abazoviq, i cili megjithatë ka treguar njëfarë peshe, vendosmëri e gjindshmëri dhe kështu të normalizohej situata politike në Mal ltë Zi”, ka thënë Paviçeviq.
Abazoviq është lider i iniciativës URA dhe në Kuvendin e Malit të Zi përfaqësohet me katër deputetë. Është në koalicion me partinë e kryeministrin Krivokapiq dhe një tjetër.