Lajme

Kapen mbi 100 kg drogë në kamionin me targa të Serbisë në terminalin doganor në Prishtinë

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më datë 29.01.2023, në orën 22:40, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në terminal doganor, ka ndaluar një kamion ‘Iveco’ me targa të huaja të cilin e drejtonte i dyshuari M.P., (1991), shtetas i Serbisë nën dyshimin për substancë narkotike.

Burimet nga Dogana kanë bërë me dije se në kamionin që po e lëvizte i dyshuari M.P., në rezervuarat e naftës janë gjetur mbi 100 paketime të plastikës të mbushura me më shumë se 100 kg marihuanë.

Po ashtu në cilësi të provave janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2.500 dinarë.