Lajme

Kandiq: Forcat serbe, përgjegjëse për vrasjen e 6-7 mijë civilëve shqiptarë

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka kërkuar që të ngrihet një memorial në Batajnicë të Beogradit, për civilët shqiptarë të vrarë nga forcat ushtarake të Serbisë, e të varrosur fshehtas në varrezat masive në Batajnicë.

Humanistja serbe, Kandiq, ka thënë se memoriali do ta mbante të gjallë kujtimin e dinjitetshëm për këto viktima, duke shtuar se disa nga viktimat u vranë në fshatin Lubizhdë të Hasit, në rajonin ku vepronte brigada 549, e cila udhëhiqej nga komandanti Bozhidar Deliq, raporton KTV.

Ajo ka thënë se një memorial i tillë do t’i nderonte të gjitha viktimat civile të krimeve të Serbisë.

“Memoriali është shumë i rëndësishëm, sepse shumë shqiptarë u vranë gjatë luftës në Kosovë. Forcat serbe janë përgjegjëse për këtë, për vrasjen e 6-7 mijë civilëve gjatë bombardimeve të NATO-s dhe është e rëndësishme që të ndërtohet një monument për shqiptarët që u vranë në Kosovë, trupat e të cilëve u bartën në Serbi dhe u gjuajtën në varreza masive, pa folur kurrë për këtë. Vetëm në vitin 2002, shteti serb nisi të tregojë për këto varreza dhe është shumë e rëndësishme që të kujtohet përgjithmonë se çfarë kanë bërë forcat serbe, të cilat kanë vrarë njerëz dhe më pas kanë dashur t’i fshehin krimet”, ka thënë për KTV-në Natasha Kandiq, Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Ndërsa, në 20-vjetorin e masakrës në Lubizhdë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke folur për mohimet e palës serbe për masakrat e kryera në Kosovë, tha se në këtë drejtim po gabon edhe Bashkësia Ndërkombëtare.