Shqipëri

Kancelarja Angela Merkel përgënjeshtron Gent Cakajn

Në vizitën e tij zyrtare të zhvilluar në Berlin më 14 maj, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, pas takimit me homologun e tij gjerman, Michael Roth, postoi në llogarinë personale në “Facebook” një status ku shkruante se kishte siguruar dakordësinë e Gjermanisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në qershor të këtij viti.

“Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth, është një artikulues i fuqishëm i domosdoshmërisë së procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në veçanti. Roth në vijimësi ka shprehur vlerësimin e tij për progresin madhor të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe (me theks të veçantë reformën në drejtësi). Ai po ashtu i kushton një vëmendje të posaçme edhe rëndësisë gjeostrategjike të fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë në qershor të këtij viti.

Këto qëndrime janë shfaqur edhe këtë radhë në takimin tonë bilateral: hapja e negociatave për Shqipërinë në qershor të këtij viti është mëse e merituar dhe në interes të vetë rajonit e BE-së në tërësi. Tepër mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë për projektin evropian të Shqipërisë!”- shkruante Cakaj në postimin e tij.

Gjithashtu, pas një takimi të zhvilluar më datë 29 prill në kuadër të Samitit të Berlinit, që mblodhi liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me kancelaren Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, Cakaj shkruante se numri një i qeverisë gjermane kishte konfirmuar edhe një herë mbështetjen absolute të Gjermanisë për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. “Takimi me Kancelaren Angela Merkel konfirmoi edhe një herë mbështetjen absolute të Gjermanisë për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Progresi i madh i Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe, me theks të veçantë në reformën në drejtësi, merr vlerësimin më të lartë nga Gjermania. Shqipëria do të vazhdon të luaj rolin e saj të pazëvendësueshëm në stabilitetin rajonal dhe afirmimin e vlerave evropiane në Ballkanin Perendimor ??????! Shumë mirënjohës për përkushtimin e Kancelares Merkel ndaj Shqipërisë ?!”- shkruante kryediplomati.

Ndërkohë, sipas një artikulli të publikuar ditën e sotme nga e përditshmja gjermane “Süddeutsche Zeitung”, kancelarja Angela Merkel, ka refuzuar prerazi rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e shpejtë të negociatave me dy vendet kandidate, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mësohet se qendrimi i Merkel-it është shprehur në një seancë të Komisionit parlamentar për Evropën të mbajtur në Bundestag. Në këtë mënyrë, kancelarja përgënjeshtron pretendimin dhe entuziazmin e Cakajt për një hapje të mundshme të negociatave brenda muajit qershor, duke dalë haptazi edhe kundër partisë bashkëqeverisëse, SPD (socialdemokratëve), që përkrahu kërkesën e KE-së për nisjen e shpejtë të bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sikurse ka shprehur edhe në intervistat e mëparshme të dhëna për shtypin shqiptar, deputeti gjerman i CDU-së, njëherësh kryesues i grupit parlamentar për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Johann Wadepuhl, është shprehur se formacioni politik që ai përfaqëson do të shqyrtojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar me të vërtetë kushtet e fillimit të negociatave për anëtarësim të këtyre dy vendeve në BE”, tha Wadephul në një deklaratë për mediat fill pas publikimit të progres-raportit të KE-së më 29 maj. Wadephul ka theksuar se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm në qershor të vitit të kalaur.

Për shkak të kalendarit të punës të CDU/CSU, tema e hapjes së negociatave pritet të shqyrtohet para vjeshtës.