Kanada, një person i armatosur vret të paktën 16 njerëz
Të paktën 16 njerëz u vranë në provincën Nova Scotia të Kanadasë nga një person i armatosur dhe i veshur si efektiv i Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP), njoftoi policia të dielën, raporton Anadolu Agency (AA).
Njëri nga të vdekurit është një efektiv i RCMP-së, kurse një efektiv tjetër u plagos. I dyshuari u qëllua për vdekje nga policia.
Asnjë detaj nuk është publikuar në lidhje me viktimat, por dyshohet se vrasjet ndodhën në vende të ndryshme të provincës.
Vrasjet filluan pak para mesnatës të së shtunës dhe vazhduan të dielën pasi i dyshuari, Gabriel Wortman, 51 vjeç, i veshur si me uniformë të RCPM-së drejtonte një makinë të ngjyrosur sikur automjetet e RCMP-së me të cilën qarkulloi nëpër rrugët e provincës.
Tmerri filloi në fshatin e vogël Portapique të Nova Scotia, një komunitet me rreth 300 banorë ku jetonte i dyshuari.
Policia konfirmoi për të paktën 16 viktima, por se ende nuk janë hetuar të gjitha skenat e krimi.
Kryeministri i Nova Scotia, Stephen McNeil, u adresua në një konferencë shtypi të dielën lidhur me rastin e rëndë.
“Asnjëherë nuk e kisha imagjinuar se do të shkoja mbrëmë në shtrat dhe se do të zgjohesha në mëngjes me lajme të tmerrshme se një sulmues i armatosur ishte i lirë në Nova Scotia. Ky është një nga aktet më të pakuptimta të dhunës në historinë e provincës sonë”, tha ai.
Gjatë konferencës së përditshme me të dhëna të përditësuara lidhur me koronavirusin të dielën, Kryeministri kanadez Justin Trudeau gjithashtu foli rreth incidentit. “Zemra ime është me të gjithë ata të prekurit në këtë situatë të tmerrshme”, tha ai.
I dyshuari pretendohet se i vuri flakën të paktën dy automjeteve të RCMP-së dhe disa shtëpive, por RCMP nuk pranoi të komentojë për zjarret e shtëpive. Policia fillimisht tha se i dyshuari ishte kapur, por më vonë tha se ai u vra në një pikë karburanti.
“Sot është një ditë pikëllimi për Nova Scotia dhe do të mbetet e pashlyeshme në mendjen e shumë njerëzve për vitet në vazhdim”, tha zyrtari i RCMP-së, Lee Berman.
Ende nuk dihet numri i saktë i të vrarëve sepse policia ende po heton skenat e mundshme të krimit. Viktimat nuk janë identifikuar. Deri më tani nuk dihet motivi i mundshëm për vrasjet